Edhe pse ende nuk është prezantuar zyrtarisht nga drejtuesit e KF Shkëndijës, me shumë gjasa sulmuesin 22-vjeçar nga Gambia, Pa Omar Xhobe, stinorin pranveror do e shohim në futbollin tonë vendor.
Ai është stërvitur me ekipin tetovar, dhe si duket ka bindur drejtuesit e Shkëndijës për të firmosur kontratë profesionale.
Megjithatë siç mëson “infOSport.mk”, i njëjti 3 vite më parë kishte dështuar ti kalojë provat te FC Shkupi.
Omar Xhobe si një 19-vjeçar i ishte bashkuar FC Shkupit direkt në përgatitjet në Bollu të Turqisë, për të vijuar të njëjtat më pas edhe në Shkup, mirëpo pa arritur që të bind trajnerin e atëhershëm, Umit Karan.
Mbetet të shihet nëse vlerësimi i strategut turk ka qenë i gabuar lidhur me këtë sulmues, apo ndoshta do të dalë i saktë, nëse i njëjti nuk arrinë të bëjë dallimin gjatë ndeshjeve të pranverës me fanellën e Shkëndijës, skuadër kjo që për vendin e parë do të konkurrojë pikërisht me FC Shkupin.
Me siguri se përballja e tretë mes Shkëndijës dhe FC Shkupit do të jetë e veçantë për sulmuesin 22-vjeçar, Pa Omar Xhobe, i cili pritet të jap gjithë atomin pikërisht ndaj skuadrës nga Çairi, në shenjë “hakmarrje” për atë që i kishte ndodhur vite më parë me këtë skuadër. (infOSport.mk)