Gostivari ka bërë një super transferim gjatë ditës së sotme, duke prezantuar mesfushorin e mirënjohur Muarem Muarem. Informacione të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se Muarem Muarem me Gostivarin ka firmosur kontratë për një vit e gjysmë.
Është ky një super përforcim për mesfushën e skuadrës shqiptare që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, aty ku stinorin vjeshtorë e mbylli vetëm në pozitën e 6-të me 17 pikë të tubuara.
Muarem Muarem pritet të jetë një lider në mesfushën e Gostivarit, ku do bëjë dallimin, por njëkohësisht do të ndihmojë këtë skuadër që të rikthehet në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, nëse jo këtë edicion, atëherë edicionin e ardhshëm.
Muarem Muarem së fundmi ishte pjesë e Bregallnicës, me të cilën skuadër shkëputi kontratën para kohe. Ai me “blutë” nga Shtipi kishte kontratë deri në fund të sezonit aktual.
Muarem Muarem është një emër i njohur për futbollin tonë vendor, teksa ka veshur fanellën e skuadrave më të njohura në vend, si Teteks, Rabotniçki, FC Shkupi, ndërsa gjithashtu ka bërë edhe karrierë ndërkombëtare duke luajtur në Turqi me Orduspor dhe Eskishehirspor, në Shqipëri me Flamurtarin, në Kazakistan me Aktoben dhe në Azerbejxhan me Karabahun. Pikërisht te kjo skuadër ai kishte kaluar momentet e tij më të mira të karrierës, duke u shpallur plotë 4 herë kampion, ndërsa gjithashtu njëherë kishte fituar edhe trofeun e Kupës së Azerbejxhanit.
Me Karabah, Muarem Muarem kishte zhvilluar 159 ndeshje, duke realizuar 30 gola, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti numëron edhe 7 paraqitje me përfaqësuesen A të Maqedonisë. (infOSport.mk).