Adnan Januzaj me shumë gjasa nuk do të rinovojë kontratën me Real Sociedad, mirëpo i njëjti mund të vazhdojë të mbetet në La Liga, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e rikthimi të tij në Premierligë, aty ku vite më parë luante me Mançester Junajtedin.
Januzaj ka refuzuar vazhdimin e kontratës me skuadrën baske, ashtu që nga janari ai është i lirë të negociojë me ekipet e tjera.
Ish-futbollisti i Junajtedit ka parë rritje të vlerës së tij në treg vitet e fundit dhe ofertat nuk do të mungojnë për të vazhduar karrierën.
Ndërkohë sipas informacioneve të “TodoFichajes”, për shërbimet e Januzajt, përveç Barcelonës interesohet gjithashtu edhe skuadra e njohur angleze e Uest Hamit.
Në parim, qëllimi i lojtarit ishte të kthehej në Premierligë, por këmbëngulja e trajnerit të ri të Barcelonës, Çavi Hernandez për nënshkrimin e tij, mund të kthente situatën.
Trajneri “katalunas” i ka ndjekur prej kohësh evolucionet e Januzajt dhe mendon se karakteristikat e tij do të përshtateshin në mënyrë perfekte me mënyrën se si luan skuadra. Përveç kësaj, në moshën 26-vjeçare, ai do të ishte në pjekuri të plotë.
Tani topi do të ishte në fushën e vetë Januzajt që do të duhet të vendosë për projektin atraktiv të Barcelonës apo vlerën e sigurt të Premierligës angleze.