FC Shkupi pas shumë vitesh gara në mesin e më të mirëve, më në fund i’a arriti qëllimit që të shpallet kampion i vjeshtës, me shpresë se një gjë të tillë do bëjnë edhe në fund të edicionit 2021/2022, për të rikthyer titullin në Çair, njofton “infOSport.mk”.
FC Shkupi pjesën e parë të sezonit e mbylli në pozitën e parë me 42 pikë, 7 më shumë se Akademia Pandevi i vendit të dytë, duke regjistruar 13 fitore, 3 barazime dhe 2 disfata.
Për këto rezultate kontribut kanë dhënë gjithë futbollistët, përfshirë këtu edhe sulmuesin Matej Cvetanoskin, të cilit pikërisht sot i përfundoi kontrata me skuadrën nga Çairi (15.12.2021).
Mbetet të shihet nëse i njëjti do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e FC Shkupit dhe të bëhet pjesë e historisë së kësaj skuadre, gjithnjë nëse shpallen kampion, apo ndoshta Cvetanoski më në fund do të transferohet diku jashtë vendit.
24-vjeçari edhe gjatë verës së kaluar ishte shumë pranë transferimit jashtë Maqedonisë, mirëpo i njëjti vendosi të vazhdojë me FC Shkupin, pjesë e së cilës është nga fillimi i këtij viti.
Ai me fanellën “bardhekaltër” gjatë këtij edicioni zhvilloi 14 ndeshje, duke regjistruar 5 gola dhe 5 asiste, duke u renditur kështu si golashënuesi i tretë i skuadrës, pas dyshes Sandej Adentunxhi (9 gola) dhe Fredy Alvarez (8 gola).
Kujtojmë javë më parë me pëlqim të dyanshëm nga FC Shkupi u largua edhe Tome Kitanovski. (infOSport.mk)