Struga Trim Lum dhe Tikveshi barazojnë pa gola

Edhe një barazim tjetër, këtë herë kundër Tikveshit për Struga Trim Lum, skuadër kjo që mban epitetin e skuadrës me më shumë barazime në Ligën e Parë gjatë këtij edicioni, gjithsej 8, njofton “infOSport.mk”.

Edhe përkundër disa rasteve ideale për gol, sërish mungoi realizimi te Struga Trim Lum, që po vuan një qendër sulmues të spikatur. Kësisoj në mungesë të një futbollisti të tillë, ishte mbrojtësi Besir Ramadani që u kanos gjatë pjesës së parë, njëjtë sikurse edhe Fiton Ademi, i cili pak para fundit të pjesës së parë u tregua edhe si vetiak, pasi duke mos dashur të kombinojë me Emir Skenderin, që ndodhej në pozitë më të volitshme, goditi vetëm mbi portë.

Në anën tjetër Tikveshi gjatë 45 minutave të para u kanos përmes Ivanovskit, i cili njëherit kishte edhe rastin më të mirë për skuadrën nga Kavadari në pjesën e dytë, kur pas një kundërsulmi doli thuajse i vetmuar para portierit Taleski, i cili me një intervenim të shkëlqyer nuk lejoi festën e mysafirëve.

Vlen të theksohet se Struga Trim Lum gjatë pjesës së dytë ishte skuadër më kërkuese, duke dominuar ndeshjen, mirëpo rastet e tyre nuk prodhuan asnjë gol edhe pas 90-të minutave lojë, me ç’rast në fund të dyja skuadrat duheshe të kënaqen me nga një pikë.

Pas 16 xhirove skuadra e Struga Trim Lum renditet në pozitëne 6-të me 23 pikë, ndërkohë Tikveshi me 14 pikë renditet në pozitën e 10-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply