Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të zhgënjejë me formën që po tregon në ndeshjet e fundit, teksa ditën e sotme u mposht në miqësore nga Jordania. Këta të fundit në stadiumin “Fadil Vokrri”, triumfuan me shifrat 2:0, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë.
Golin e parë për Jordaninë e realizoi Baha Faisal në minutën e 18-të, ndërsa 4 minuta para fundit të takimit Hamza Al Daradour vulosi fitoren e jordanezëve.
“Dardanët” me këtë disfatë treguan edhe njëherë tjetër se po kalojnë momente të vështira, teksa edhe pas ndryshimit të trajnerit nuk po arrijnë të kthehen tek rezultatet pozitive.
Kjo ndeshje ishte sfida e parë që Kosova e zhvilloi nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Primoz Gliha.
Ndryshe ndeshja kundër Jordanisë ishte një paralajmërim për ndeshjen e 14 nëntorit kundër Greqisë në Athinë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Qatar 2022”.