Për shkak ndeshjeve të nëntorit të përfaqësueses së Maqedonisë, Komisioni i garave pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ka vendosur që ndeshjet e javës së 13-të, të zhvillohen një ditë më herët nga e diela e zakonshme, njofton “infOSport.mk”.
E gjithë vëmendja datën e 6 nëntorit do të jetë e përqëndruar në Tetovë, aty ku mejdanin do të ndajnë dy skuadrat shqiptare, Renova dhe Shkëndija. Do të jetë ky takimi i tretë i këtij edicioni, ku të dyja skuadrat kanë nga një fitore. Shkëndija demoloi “gjipspunuesit” në kuadër të 1/8 së finales së Kupës, duke i mundur me shifrat 5:0, ndërkohë Renova kishte dalë fitues në ndeshjen e parë të këtij sezoni në kampionat, aty ku edhe për momentin qëndron më lartë se Shkëndija. Pikërisht takimi i së shtunës është një provë e madhe për “kuqezinjtë”, nëse do mund të kapin ritmin dhe të renditen lartë në tabelë, apo do vazhdojnë me stilin nxehtë-ftohtë, sa u përket rezultateve të këtij edicioni.
Renova pas 12 xhirove të para renditet në pozitën e dytë me 22 pikë, 4 më shumë se Shkëndija e vendit të 5-të.
Ndryshe sa i përket vitit 2021, vlen të theksohet se këto dy skuadra të shtunën do të zhvillojnë ndeshjen e tyre të 5-të, pasi në dy ndeshjet e fundit të edicionit të kaluar, Shkëndija ishte shumë më e mirë se Renova, duke triumfuar me 11 prill me shifrat 3:0, ndërsa me 7 mars këto dy skuadra kishin barazuar pa gola.
Shpresojmë që në ndeshjen e së shtunës të kemi gola, ndërsa fitorja ti takojë skuadrës më të mirë në terren. (infOSport.mk)