Liga e Kampionëve rikthehet me super duelin, Atl. Madrid-Liverpull

Do të luhen sot në mbrëmje tetë ndeshjet e javës së tretë të grupeve në Ligën e Kampionëve, e ku pa dyshim se spikat përballja e grupit “B”, ajo midis Atletiko Madridit dhe Liverpullit, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Jurgen Klop udhëton drejt Spanjës për të konfirmuar pozitën e parë në grup, derisa në ndeshjen tjetër Milani i Stefano Piolit, do të kërkojë pikët e para në shtëpinë e vetë përballë gjigandëve portugez të Portos.

Në kërkim të fitores së parë do të jenë edhe rivalët e qytetit, Interi. Pas një humbjeje dhe një barazimi, zikaltërit presin në shtëpi ekipin surprizë të momentit, Sheriff Tiraspol. Me dy fitore kundër Shakhtar dhe Real Madrid, moldavët vijnë të entuziazmuar në Milano, gati për surprizën e radhës.

Sakaq, po në të njëjtin grup, tre pikët i kërkon edhe Real Madrid i cili përballet me Shakhtar Donetsk. Ekipi i Karlo Ançelotit është i detyruar të fitojë pas humbjes turpëruese nga Sheriff Tiraspol.

Në ndeshje të tjera spikatin edhe PSZh-Lajpcig dhe Mançester Siti – Klub Bryzh në grupin A. Parizienët janë në vendin e parë dhe presin në shtëpi gjermanët të cilët ende nuk kanë marrë pikët e para. Ndërkohë, po në të njëjtin grup, Mançester Siti i Pep Guardiolas pret në shtëpi modestët e Klub Bryzh. Ekipi i Guardiolës ndodhet në vendin e tretë në grup me tre pikë, një më pak se rivalët belg.

Në grupin C, Ajaksi dhe Dortmundi do të përcaktojnë me njëri-tjetrin se kush do të dalë në krye të grupit. Të dyja ekipet janë me nga gjashtë pikë dhe ndeshja e sotme do të ndajë provizorisht kreun. Ndeshja tjetër e këtij grupi është Beshiktash-Sporting me të dyja ekipet që janë ende në kërkim të pikëve të para këtë edicion.

Leave a Reply