Ylli i përfaqësueses së Maqedonisë, Elif Elmas, i cili luan në Serie A me ekipin e Napolit, ka folur në prag të ndeshjes së sotme me Lihtenshtejnin, nga e cila përballje pret që ekipi përfaqësues i vendit tonë të rikthehet me 3 pikë nga Vaduzi.
“Duhet të fitojmë dhe të mbetemi në lojë për në Kampionatin Botëror. Besoj se do të kthehemi me tre pikë. Duhet të luajmë në atë mënyrë që seleksionuesi kërkon nga ne. Do të përpiqemi ta përmirësojmë finalizimin, por edhe disa detaje tjera të lojës” – u shpreh Elif Elmas, i cili nuk la pa prekur edhe ndeshjen me Gjermaninë, ndaj së cilës kombëtare do të luajmë në Shkup me datë 11 tetor.
“Lihteshtejni luan futboll defanziv, do të jetë ndeshje e vështirë, ndërsa me Gjermaninë do të jetë edhe më vështirë, por e jona është që të luajmë ashtu siç dimë, ne mundemi dhe shpresoj se nga të dyja ndeshjet do të marim maksimumin e mundur” – përfundoi 22-vjeçari Elmas, i cili sonte kundër Lihtenshtejnit do të regjistrojë paraqitjen e tij të 31-të. Në 30 paraqitjet e deritanishme futbollisti shkupjan numëron edhe 7 gola.