Brazili nuk njeh rivalë në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2022 në Amerikën Latine, pasi ka marrë një tjetër fitore dhe kryeson grupin me pikë të plota pas nëntë ndeshjesh.
Viktimë e rradhës e Brazilit doli të jetë Venezuela. 3:1 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi në favor të “seleçaos”, që panë vetën në disavantazh pas 45 minutave të para. Ramirez kishte shënuar golin e epërsisë për Venezuelën, që më pas në pjesën e dytë Marikinjos të shënojë golin e barazimit në minutën e 71-të.
Gabriel Barbosa në minutën e 85-të nga penaltia për herë të parë kaloi në epërsi Brazilin, derisa rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Venezuela 1, Brazili 3, e vendosi Antony me golin e realizuar në minutat shtesë të takimit.
Ndryshe nga Brazili, Argjentina ngeci në transfertë ndaj Paraguait. Edhe pse me Messin në fushë, ky duel përfundoi në barazim 0:0.
Gjithsesi skuadra e Skalonit renditet në vendin e dytë dhe kualifikimi në Botërorin “Qatar 2022” nuk do të vihet në diskutim.
Në rrugë të mbarë është edhe Ekuadori, që fitoi 3:0 kundër Bolivisë dhe renditet në vendin e tretë në grup, derisa Uruguai që barazoi pa gola ndaj Kolumbisë renditet në pozitën e katërt. Kili mori një tjetër goditje të rëndë nga Peruja, që i mposhti me rezultatin e pastër 2:0.