Ernest Muçi protagonist kryesor në fitoren e Shqipërisë U21 ndaj moshatarëve të Andorrës (VIDEO)

Ernest Muçi doli të jetë protagonist kryesor në fitoren 2:0 të kombëtares shpresa të Shqipërisë përballë Andorrës, duke realizuar dy super gola nga gjuajtjet e lira, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti i Legia Varshavës thjeshtë ishte i pandalshëm për kundërshtarët e tij, ndërsa shumë pak mungonte që këtë ndeshje ta mbyllte me “tripletë”, në rast se shënonte nga pika e bardhë në minutën e 70-të.

Suksesi i dytë në grup për ekipin e Bushit, që bën detyrën ndaj Andorrës, duke marrë një fitore të pritshme. Kuqezinjtë dominuan përballjen në “Elbasan Arena” dhe që në minutat e para ishin shumë aktivë, ndërsa Muçi golin e tij të parë e gjeti në minutën e 36-të, duke realizuar nga goditja e dënimit.

Në fundin e fraksionit të parë sulmuesi i Legias mund t’i ishte gëzuar dhe golit të dytë personal, por u ndal nga portieri i Andorrës.

Në pjesën e dytë, Shqipëria ishte sërish më këmbëngulëse, edhe pse rastin e parë më konkret e patën mysafirët.

Në të 70-tën “kuqezinjtë” mund të kishin shënuar golin e qetësisë, por Muçi gaboi nga pika e bardhë pas penalltisë së fituar nga Dobra, duke kaluar për pasojë në fundin e ndeshjes dhe disa minuta paniku. Në të 90-tën ishte Asllani që për pak shënoi të dytin pas një goditjeje dënimi me dy pasime brenda në zone, ndërkohë që në të 92-tën Muçi veshi kostumin e protagonistit të madh të këtij takimi me një tjetër perlë nga goditja e dënimit.

Një sukses i firmosur nga Muçi dhe 3 pikë për Shqipërinë U21, që pas katër golave të pësuar në Çeki rikthehen te suksesi, duke patur dy fitore në 3 ndeshje, pavarësisht se të arritura ndaj ekipit të fundit në grup.

Kosova nuk ia doli të merrte pikë ndaj Çekisë, e cila fitoi minimalisht falë golit të Gabriel në pjesën e parë.

Është pikërisht Çekia që kryeson grupin me 9 pikë maksimale para Shqipërisë që ka 6 pikë, ndërsa Kosova me vetëm 3 pikë nga 3 ndeshje mban pozitën e 5-të në grupin “G”.

Leave a Reply