Strakosha e ka vuajtur së tepërmi gabimin e bërë në ndeshjen e Liga Europa përballë Gallatasarajit, që i kushtoi me humbje Lacios.
Pasi u la jashtë për shumë ndeshje, trajneri Sarri e aktivizoi portierin shqiptar në ndeshjen e parë të Liga Europa, megjithatë një gabim foshnjarak i uli edhe më tepër besimin në vetvete Strakoshës.
Por në ndeshjen e parë pas gafës me Galatasarajin, tifozët e Lacios i kanë dalë në mbrojtje Strakoshës.
Teksa hapën një parullë gjigande me mbishkërimin: “Mos e vrit mendjen për ata, por bëj pritje dhe vazhdo përpara”, Strakosha do të shpërthente në lot gjatë nxemjes.
Për ta rikthyer Strakoshën në qendër të vëmendjes mendoi edhe bashkëlojtari i tij, Danilo Kataldi.
Ky i fundit shënoi një gol të bukur në barazimin 2:2 ndaj Kaljarit në kuadër të javës së katërt në “Serie A”, dhe shkoi menjëherë që të festonte me gardianin e Shqipërisë: “Kemi 10 vite që njihemi së bashku. Jemi rritur në ekipet e moshave dhe tani jemi në ekipin e parë. Strakosha e meriton që të jetë në qendër të vëmendjes. Është njeri i jashtëzakonshëm dhe profesionist”, tha Kataldi.