Struga dhe Renova pa probleme, Vardari falë penaltive eliminoi Pobedën (VIDEO)

Struga Trim Lum dhe Renova pa shumë probleme kanë kaluar raundin e parë të garave në kuadër të Kupës, duke eliminuar Sasa-n, gjegjësisht Gostivarin, njofton “infOSport.mk”.

Struga Trim Lum në Kamenicë shënoi fitore 2:0, falë golave të shënuar nga Emir Skenderi (36’) dhe Berat Beqiri (85’). Për këtë të fundit ishte ky goli debutues me fanellën e Struga Trim Lum, te e cila skuadër që nga minuta e parë debutoi edhe shkupjani, Suhel Muharemi.

Pas pjesës së parë pa gola në Gostivar, skuadra e Renovës u aktivizua në të dytën kur edhe shënoi 4 gola. Ali Aliu realizoi dy herë në rrjetën e vendasve, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Shefit Shefiti dhe kolumbiani, Mena Perez.

Besa e Dobërdollit, një skuadër mjaft ambicioze që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, u eliminua nga Skopje vetëm përmes ruletit të penaltive, ndërsa penaltitë e vendosën fituesin edhe në Prilep, aty ku para 4000 tifozëve Vardari eliminoi Pobedën.

Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1. Dejan Bllazhevski në minutën e 54-të nga goditja e lirë shënoi një eurogol të vërtetë, mirëpo në minutën e 94-të  futbollistët e Pobedës gëzuan tifozët e shumtë në tribuna duke shënuar golin e barazimit me anë të Filip Stomnarovski.

Pas këtij goli ndeshja iu drejtua penaltive, aty ku më të suksesshëm dolën të jenë futbollistët e Vardarit, që ishin të pagabueshëm, teksa në serinë e fundit te ekipi vendas penaltinë e humbi futbollisti i deridjeshëm i “kuqezinjëve” nga Shkupi, Petejçuk.

Fitore të pastërta edhe për Rabotniçkin dhe Makedonija GJ.P, që me shifrat 3:0 mundën Slloga Vinicën, gjegjësisht Detonit Junior, Tikveshi minimalisht 1:0 mundi Novacin në transfertë, ndërkohë Pelisteri regjistroi fitoren më të thellë, duke mundur Ljubotenin me shifrat 9:0.

Në Ohër skuadra ambicioze e Voska Sport u mund minimalisht 1:0 nga Bregallnica, që shënoi një gol të hershëm me anë të Dodev, Ohrid Lihnidos eliminoi Lokomotiv Gradsko, pasi shënoi fitore 2:0 në transfertë, ndërkohë në Dibër, Korabi u mund 1:2 nga Bellasica.

Kujtojmë se dy ekipet finaliste të edicionit të kaluar, Sileksi dhe Akademia Pandevi kanë qenë të lira në raundin e parë, ndërsa tre ndeshjet tjera si Kit Go – Shkëndija, Veleshta – Shkupi dhe Nju Stars – Boreci do të luhen javën e ardhshme (22 shtator). (infOSport.mk)

Leave a Reply