Sedlloski: Ndeshje e vështirë, në pjesën e dytë fati na ktheu shpinën

Derbi i shumë pritur midis dy skuadrave kryesore pretendente për titull në futbollin vendor, Shkëndijës dhe FC Shkupit është mbyllur me barazim 0:0. Ndeshja u zhvillua në Tetovë dhe e njëjta nisi me një minutë heshtje në nder të 14 viktimave që humbën jetën në spitalin modular të Covid 19, që ishte përfshirë nga flakët disa ditë më parë.

Të dyja skuadrat kishin raste të mira për të shënuar, mirëpo në fund mungoi goli, edhe pse Shkëndija gjatë pjesës së parë arriti të shënojë, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtë loje. Në anën tjetër FC Shkupi rastin më të mirë e pati në pjesën e dytë, kur goditja e Cvetanoskit u ndal në traverzë.

Marrë parasysh gjithë atë që ndodhi në fushën e blertë, pas përfundimit të ndeshjes opinionin e tij para gazetarëve e dha trajneri i FC Shkupit, Goce Sedlloski.

“Mendoj që ishte një ndeshje interesante, por e vështirë. Në pjesën e parë, sikur kishim disa probleme por pjesën e dytë e nisëm mjaft mirë. Në pjesën e dytë, sulmuam gjatë gjithë kohës, kishim raste të mira, por nuk kishim fat.

Ne erdhëm këtu për të fituar, por edhe Shkëndija ka një skuadër mjaft të mirë. Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të përgatitemi për ndeshjen e radhës dhe të luftojmë për tre pikët”, u shpreh trajneri i skuadrës shkupjane, Goce Sedloski.

Me barazimin e sotëm, FC Shkupi aktualisht është i treti në tabelë me 11 pikë, ndërkohë Shkëndija me 7 pikë renditet në pozitën e 7-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply