Është mbyllur në barazim 1:1 ndeshja midis Kosovës dhe Greqisë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, “Qatar 2022”, njofton “infOSport.mk”.
Kosova ishte kundërshtarë më i mirë në fushë, duke kërcënuar në disa raste portën greke, megjithatë ishin mysafirët që kaluan të parët në avantazh me anë të Duvikas në fundin e pjesës së parë.
Ishte kjo goditja e parë direkte e Greqisë, që përfundoi në rrjetën e Arijanit Muriç, që deri në ato momente thjeshtë ishte i papunë.
I njëjti ishte i papunë edhe në pjesën e dytë, në të cilën Kosova çaloi 30 minutëshin e parë, ndërsa në 15 minutat e fundit “dardanët” luajtën shumë më mirë, ndërsa si rezultat në minutën e fundit të takimit erdhi goli i barazimit me anë të Vedat Muriqit, i cili realizoi golin e tij të 17-të me fanellën e përfaqësueses së Kosovës.
Muriqi shfrytëzoi devijimin me kokë të Hadërgjonajt në shtyllën e dytë, duke kërcyer më lartë se futbollistët kundërshtarë dhe duke mposhtur portierin Vlahodimos.
Kësisoj Muriqi arriti tu dhurojë 1 pikë të artë Kosovës në kuadër të grupit “B”, ku bëjnë pjesë edhe Spanja, Suedia dhe Gjeorgjia. Me këtë barazim Kosova u ngjit në kuotën e 4 pikëve, duke mbajtur përkohësisht vendin e tretë, ndërsa Spanja me 10 pikë kryeson grupin. Pikërisht kombëtarja spanjolle do të jetë kundërshtari i rradhës i Kosovës, ndeshje kjo që në program është me datë 8 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”. (infOSport.mk)