Pasi humbi shërbimet e dy super lojtarëve, si Ashraf Hakimi dhe Romelo Lukaku, të shitur të dy për gati 185 mln euro, tifozët e Interit nuk do t’i falnin klubit një tjetër sakrificë të quajtur Lautaro Martinez!
Argjentinasi është një nga emrat më të përfolur të merkatos. Atletiko Madridi dhe disa klube të Premierligës janë interesuar për shërbimet e yllit argjentinas, por duket se tashmë ai ka vendosur të qëndrojë te Interi, për t’u bërë sulmuesi kryesor i zikaltërve.
Lajmin e bën të ditur vetë agjenti i tij, i cili muaj më parë kishte paralajmëruar lëvizjen e Lautaros, por tashmë situata ka ndryshuar.
Alehandro Kamano tregon se të mërkurën do takojë drejtuesit e Interit për të folur për rinovimin e Lautaros me Interin.
“Lautaro dëshiron të qëndrojë në Inter, beson te projekti i Interit dhe dëshiron të fitojë. Kam planifikuar një takim me Interin të mërkurën për të folur për situatën e kontratës së lojtarit tim. Klubet e Premierligës e donin atë, por ai tani është i gatshëm të qëndrojë ”, tha ai.