Maliq Beluli i cili 6 muajt e fundit ishte pjesë e Ferizajit në Superligën e Kosovës, ka vendosur që sërish të mbetet pjesë e këtij kampionati, duke nënshkruar me Vllazninë e Pozheranit, njofton “infOSport.mk”.
Beluli me skuadrën e sapo inkuadruar në elitën e futbollit kosovar nënshkroi kontratë 6 mujore, me mundësi vazhdimi.
“Kam nënshkruar kontratë për 6 muaj, mirëpo të njëjtën mund ta vazhdojmë nëse të dyja palët mbetemi të kënaqur. Vërtetë më kanë pritur mirë, jam i kënaqur nga kushtet e ofruara, ashtu që tashmë më mbetet për të dhënë më të mirën nga vetja me fanellën e Vllaznisë” – tha për “infOSport.mk”, Maliq Beluli, për shërbimet e të cilit interesim kishte shfaqur edhe skuadra e Flamurtarit nga Prishtina.
Interesimi për Belulin nuk mungonte edhe nga skuadrat shqiptare në Maqedoni, si ajo e Gostivarit që dëshironte të përforconte rradhët e saj me ish kapitenin e tyre, ndërsa gjithashtu kishte interesim edhe nga skuadra e Ligës së Parë, Renova.
Sezonin e shkuar Maliq Beluli me Ferizajin në Superligën e Kosovës zhvilloi gjithsej 13 ndeshje, duke realizuar edhe 4 gola, ndërsa vlen të theksohet se tre xhiro ai bënte pjesë në formacionin e javës në Vala Superligë, ndërsa një xhiro u zgjodh edhe si futbollisti më i mirë i javës.