Kroacia ka humbur një lojtar shumë të rëndësishëm vetëm pak ditë para sfidës me Spanjën për një vend në çerekfinalet e EURO 2020. Ivan Perishsiç ka rezultuar pozitiv ndaj COVID-19 dhe është izoluar, duke humbur këtë ndeshje, por edhe të tjera të mundshme në turne në varësi të testeve të mëtejshme.
“Gjatë natës, Federata Kroate ka marrë rezultatet e testeve për virusin SARS-CoV-2, të cilat kanë dhënë si përfundim se pjesëtari i përfaqësueses, Ivan Perishiç, është pozitiv tashmë me koronavirus. Stafi mjekësor i ekipit kombëtar e ka izoluar Ivan nga përbërësit e tjerë të kombëtares dhe ka lajmëruar menjëherë për situatën shërbimin epidemiologjik kompetent duke respektuar të gjitha masat e mbrojtjes për përhapjen e infeksionit. Perishiç do të kalojë 10 ditë në izolim dhe në këtë periudhë nuk do të zhvillojë ndeshje të kombëtares. Të gjithë pjesëtarët e tjerë të përfaqësueses, anëtarë të stafit dhe delegacionit, kanë rezultuar negativ”, shkruhej në komunikatën e Federatës Kroate.
Perishiç është një lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren kroate, ndaj mungesa e tij mund të vërehet në ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të këtij turneu, ajo kundër Spanjës, që në program është nesër (18:00h).
Perishiç ishte vendimtar në kualifikimin e Kroacisë për në fazën e dytë të Euro 2020, pasi shënoi gol si ndaj Republikës Çeke, ashtu edhe ndaj Skocisë në fazën në grupe të turneut.