Prishtina e Zekirja Ramadanit është kualifikuar për në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur me rezultatin 2:0 në stadiumin “Elbasan Arena” skuadrën nga Andorra, Inter Eskaldes.
Skuadra bardheblu nga kryeqendra kosovare kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë, ekzatësisht në minutën e 45’ me anë të Endrit Krasniqit falë disa kombinimeve të bukura.
I njëjti futbollistë realizoi edhe golin e dytë të takimit në minutën e 58’ me anë të një goditje të bukur në zonën kundërshtare. Falë kësaj “dopiete”, Krasniqi regjistroi 3 gola dhe 1 asist në këto dy ndeshje paraeliminatore të Prishtinës, skuadër kjo që në gjysmëfinale kishte mundur ekipin e Folgore nga San Marino.
Pas kësaj fitoreje, skuadra kryeqytetase do të gjejë në turin e parë eliminator skuadrën e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Myrto Uzunit, Ferencvaroshin një sfidë që do të luhet me sistemin vajtje-ardhje.
Në ndeshjen e parë Ferencvaroshi do të jetë pritëse në datën 6 ose 7 korrik ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet në 13 ose 14 korrik.