Pas disa muajve pa shkëlqim dhe paraqitjeve jo bindëse, kombëtarja gjermane e futbollit më në fund na riktheu në ditët e saj më të mira, duke demoluar kampionët në fuqi të Europës, Portugalinë me rezultatin 4:2 në ndeshjen e vlefshme të grupit F, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo fitorja e parë për “pancerat” në këtë europian, pasi të martën që lamë pas ishin mundur nga Franca.
Në “Allianc Arena” në Munih, Kristiano Ronaldo me golin e shënuar në minutën e 15-të kaloi në epërsi “luzitanët”, mirëpo ende pa përfunduar pjesa e parë Gjermania arriti që të përmbys gjithçka, falë dy autogolave të shënuar nga Ruben Dias (35’) dhe Rafael Guereiro (39’).
Kai Havertz në minutën e 51-të shënoi edhe golin e tretë për Gjermaninë, ndërkohë 10 minuta më vonë Robin Gosen shënoi edhe golin e katërt, duke ju dhënë fund shpresave të Portugalisë që në ato momente.
Gjithçka që mundën të bëjnë Ronaldo me shokë, ishte goli i shënuar nga Diogo Zhota në minutën e 67-të. Ky i fundit në ato momente realizoi golin e dytë të dhe të fundit në këtë ndeshje, duke vendosur rezultatin përfundimtarë, Portugali 2, Gjermani 4. (infOSport.mk)