Shkëndija ka shënuar fitoren e 14-të pas 23 xhirove në elitën e futbollit vendor, pasi sot në transfertën në Shtip mundi Bregallnicën me reuzltatin 3:1, njofton “infOSport.mk”.
Gjithçka interesante sa u përket golave të shënuar në këtë përballje ndodhi në pjesën e dytë, ndërsa pjesa e parë kaloi nën hijen e dëmtimit të rëndë të mbrojtësit të Shkëndijës, Egzon Bejtullai, i cili vetëm pas 8 minutave lojë duheshe që të braktis ndeshjen dhe me veturën e ambulancës të dërgohet në spitalin e qytetit të Shtipit.
Ndryshe fitoren e “kuqezinjëve” nga Tetova e paralajmëroi Besart Ibrahimi me golin e realizuar në minutën e 58-të kur mjaft mirë u gjind në zonën kundërshtare dhe me një goditje precize nga brendia e zonës shënoi për rezultat 1:0, transmeton “infOSport.mk”.
Besart Abdurahimi i cili zëvendësoi Bejtullain e lënduar në minutën e 8-të, shënoi golin e dytë për Shkëndijës në të 78-tën, ndërkohë edhe golin e tretë e realizoi një rezervistë, Armend Alimi (89’), i cili kishte zëvendësuar në fillim të pjesës së dytë Enur Totren.
Golin e nderit për vendasit në këtë përballje e realizoi kapiteni i Bregallnicës, Goran Zadravkov, edhe atë nga pika e bardhë në minutën e 85-të.
Me këtë disfatë Bregallnica thuajse edhe përfundimisht i humbi të gjitha gjasat për mbijetesë, duke mbetur e ngulitur në pozitën e fundit me vetëm 12 pikë të tubuara, ndërkohë në anën tjetër Shkëndija vazhdon ëndërrën për titullin e kampionit duke ndjekur në hap Vardarin që ka 53 pikë, 6 më shumë se skuadra tetovare në pozitën e dytë.