Gjatë ditës së sotme do të hidhet shorti për ndeshjet e raundit të parë të “Europe Conference League”, kompeticion ky më i ri i UEFA-s, në të cilën do të marrin pjesë plotë 8 skuadra shqiptare, njofton “infOSport.mk”.
FC Shkupi dhe Struga Trim Lum janë dy skuadrat shqiptare që do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në këtë kompeticion, nga Shqipëria janë Partizani, Vllaznia dhe Laçi, nga Kosova, Drita dhe Llapi, ndërsa nga Mali i Zi, ekipi i Deçiç.
Duke pasur parasysh këtë numër të madh të skuadrave shqiptare, fati deshi që 3 prej tyre të shortohen në një grup. Fjala është për FC Shkupin, Partizanin dhe Llapin. Dy të parat bëjnë pjesë në mesin e skuadrave favorite në kuadër të grupit 3, dhe nuk mund të përballen njëra me tjetrën, mirëpo njëra prej tyre ka mundësi që të jetë kundërshtarë i Llapit të Tahir Batatinës.
Mbetet të shihet nëse do kemi përballje mes skuadrave shqiptare që në raundin e parë të Europe Conference League në grupin 3, apo edhe në grupin 1, ku mund të shohim Dritën e Gjilanit nga Kosova dhe ekipin e Deçiç nga Mali i Zi.
Shorti për ndeshjet e raundit të parë në kuadër të Europe Conference League do të zhvillohet sot me fillim në ora 13:30. (infOSport.mk)