Skënderbeu ka filluar lëvizjet e para në përforcimin e ekipit dhe po mendon për të blinduar skuadrën e sezonit të ri. Duke parë elementët cilësorë që u afruan në huazim në mesin e sezonit, drejtuesit e skuadrës korçare nuk kanë dashur që të heqin dorë nga këta lojtarë, por kanë nxituar për të mbyllur bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur.
Bëhet fjalë pikërisht për dyshen e Shkëndijës, Bekim Rexhepi dhe Laerd Sadriun, të cilët ishin afruar në huazim gjashtëmujor.
Pikërisht këta dy futbollistë janë të parët që duket se do të konfirmohen nga ana e stafit bardhekuq për sezonin e ri, mirëpo këtu nuk ndalen ambiciet e drejtuesve të Skënderbeut, të cilët tashmë kanë piketuar edhe dy emra të tjerë nga rradhët e skuadrës kampione të Shkëndijës.
Florent Ramadani dhe Arbin Zejnullai janë dy futbollistët që korçarët do t’i prisnin krahëhapur për shkak të cilësive që kanë, por edhe mungesës së hapësirës te Shkëndija. Gjithsesi, është ende herët nga sa raportohet që të flitet për emra pasi fillimisht duket të ndërtohen bazat e dy ekipeve për të parë se cilat janë mundësitë e transferimit në huazim.