Rabotniçki tenis me Tre Pene, shënon edhe Suad Sahiti

Rabotniçki ka shënuar një ndër fitoret më të thella në ndeshjen evropiane, pasi sot mundi ekipin nga San Marino të Tre Pene me rezultatin e thellë 6:0. Është kjo pa dyshim fitorja më e thellë ndonjëherë e arritur nga një skuadër përfaqësuesese e Maqedonisë, edhe pse përballë “romantikët” kishin një skuadër tepër modeste, të cilën e kishin mundur edhe në ndeshjen e parë në transfertë, mirëpo me vetëm një gol, të shënuar nga Mitrev në minutën e fundit të takimit.

Ndryshe sa i përket takimit kthyes në Shkup, të zhvilluar në kompleksin afër FFM-së, serinë e golave ndaj ekipit nga San Marino e nisi futbollisti shqiptarë, Suad Sahiti që realizoi në minutën e 28-të.

Pasi tij rradha ishte e Bojan Najdenov, i cili shënoi në fundin e pjesës së parë (43’) si dhe pas 14 minutave lojë në pjesën e dytë, kur Rabotniçki pas një ore lojë avansonte me rezultatin 3:0.

Kire Markoski në minutën e 71-të shënoi edhe golin e katërt ndaj Tre Pene, ndërsa dy golat e fundit ishin pjesë e ish sulmuesit të Renovës, Stojanço Velinov, i cili brenda dy minutave jo të plota realizoi dy herë në rrjetën e portierit mysafir, Migani.

Rabotniçki në raundin e dytë eliminatorë të Liga Evropa, pret fituesin nga përballja midis skuadrës nga Ishujt Faroe të Runavik dhe skuadrës bjelloruse të Dinamo Minsk. Në ndeshjen e parë bjellorusët kishin shënuar fitore minimale 2:1, ndërsa në ndeshjen e kthimit, rezultati pas 20 minutave lojë, është ai i fillimit (0:0).

Ndryshe pjesë e fitores së “romantikëve” ndaj Tre Pene, përveç Suad Sahiti, ishin edhe vëllai i tij Emir Sahiti, që në lojë u inkuadrua në minutën e 69-të, duke zëvendësuar Filip Duranskin si dhe Florian Kadriu, i cili në minutën e 79-të zëvendësoi pikërisht golashënuesin e parë të Rabotniçkin në këtë përballje.

 

Leave a Reply