Teuta fitoi titullin kampion, pas një sezoni të shkëlqyer të zhvilluar. Vuajtje dhe spektakël, por në fund durrsakët ia dolën ta mbyllin sezonin me trofeun më të rëndësishëm në Shqipëri.
Gëzimi në Durrës është i madh për këtë arritje, kjo për shkak se titulli kampion në Durrës mungonte që nga viti 1994.
Në ndeshjen e xhiros së fundit, Teuta regjistroi fitoren më të thellë të këtij edicioni, duke mundur me shifrat 6:1 Apoloninë e Fierit, që edicionin e ardhshëm do të luaj një rang garash më poshtë.
Dejvi Bregu ishte më i dalluari në këtë fitore të madhe të durrsakëve, duke realizuar “tripletë”, përmes së cilës fitoi edhe garën si golashënuesi më i mirë në Superligën shqiptare. Nga një gol tjetër realizuan edhe Vila, Arapi dhe Plaku, ndërkohë golin e nderit për skuadrën nga Fieri e realizoi Mihana gjatë pjesës së parë.
Fitorja e Teutës zhvlerësoi fitoren e Vllaznisë, skuadër kjo që mundi Laçin me rezultatin 2:0. Skuadra shkodrane pavarësisht se e mbylli sezonin me pikë të njëjta me Teutën, 66 pikë, në fund u ndal vetëm në pozitën e dytë, ndërsa bashkë me Partizanin e Jasir Asanit, Egzon Belicës dhe Ferhan Hasanit, do të luajnë në garat e UEFA Europe Conference League.
Partizani me 65 pikë u ndal në pozitën e tretë, kjo falë fitores 4:2 ndaj Bylisit, skuadër kjo që bashkë me Apoloninë do të luajnë në Ligën e Parë të Shqipërisë.
Tirana mundi 3:1 Skënderbeun, duke iu falënderuar dy golave të shënuar nga Taulant Seferi dhe një goli tjetër nga Albo Gjumsi, ndërsa Kukësit nuk i mjaftoi goli i Agim Ibraimit, pasi në fund u dorëzua përballë Kastriotit (1:2).