Shkëndija përballë FC Shkupit pranon trofeun e kampionit për sezonin 2020/2021

Shkëndija në ndeshjen e fundit të sezonit 2020/2021 do të mirëpret FC Shkupin në Tetovë, njofton “infOSport.mk”. Në këtë ndeshje ekipi “kuqezi” edhe zyrtarisht do të pranojë kupën për titullin kampion të vendit.

Pasi javën e shkuar Shkëndija mundi Makedonija Gj.P. 4:3 në Shkup, ata të relaksuar kanë vijuar përgatitjet për ndeshjet e sotme, ku skuadra e Ernest Gjokës tashmë është gati për të performuar në 90-të minutëshin e fundit të këtij sezoni. Pavarësisht rezultatit, pas përfundimit të ndeshjes, për futbollistët “kuqezi” do të ketë festë në stadium, pasi të njëjtit për herë të katërt në histori do të pranojnë trofeun e titullit kampion.

FC Shkupi është kënaqur këtë vit me vendin e dytë, renditja më e lartë prej kur funksionojnë me këtë emër. “Bardhekaltërit” nga Çairi u mendua të ishin rival i kuqezinjëve në garën për titull, por me të nisur gjysmësezoni pranverorë, Shkëndija bëri dallimin dhe çështja e titullit mori fund që në dy-tre xhirot e para, për tu mbyllur matematikisht në xhiron e 29-të kur kuqezinjtë fituan në Tetovë Borecin me shifrat 3:1.

Nëse Shkëndija në 32 xhirot e deritanishme ka efekt prej 22 fitoreve, 8 barazimeve dhe 2 disfatave, FC Shkupi është mundur në 6 takime, 10 herë kanë barazuar, ndërsa kanë regjistruar 16 fitore, ecuri e mjaftueshme për vendin e dytë dhe dalje në Europë për herë të katërt me rradhë.

Leave a Reply