Struga Trim Lum dërgoi Vardarin në Ligën e Dytë

Struga Trim Lum ka shënuar fitoren e parë këtë edicion në ndeshjet ndaj Vardarit, por kuptohet shumë të rëndësishme, pasi bëri atë hapin final, duke u pozicionuar në vendin e tretë, ndërsa në anën tjetër plotësoi dëshirat e shumë tifozëve shqiptarë të futbollit në vendin tonë, duke dërguar Vardarin në Ligën e Dytë të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Struga Trim Lum që nga fillimi e kërkonte fitoren, ndërsa kanosjen e parë struganët e patën që në minutën e 3-të, kur Altiparmakovski nga afërsia nuk arriti që të mposhtë portierin Iliq.

Megjithatë Altiparmakovski më vonë luajti rolin e heroit, pasi në minutën e 67-të shënoi golin e vetëm dhe të fitores nga pika e bardhë.

Numri 9 i skuadrës strugane edhe njëherë tjetër morri përgjegjësinë për të goditur nga pika e 11-të metërshit, dhe nuk gaboi, duke i siguruar 3 pikë shumë të vlefshme skuadrës së tij.

(GOLI: https://www.facebook.com/infosport.mk/videos/4044987935577244)

Ishte ky goli i 5-të në 5 ndeshjet e fundit për Marjan Altiparmakovski, i cili po bënë mirë në ndeshjet e fundit, pikërisht kur Struga Trim Lum po kërkon të bënë ëndërrën realitet, kualifikimin në Europë.

Ndeshjen e fundit, Struga Trim Lum do ta zhvillojë në Kratovë kundër Sileksit, skuadër kjo që me shumë gjasa do të luaj në balotazh, së bashku edhe me Renovën.

Në rast se Struga Trim Lum do të shënonte fitore ndaj Sileksit në Kratovë, atëherë kjo skuadër do të ju bashkohej dy skuadrave tjera shqiptare, Shkëndijës dhe FC Shkupit, për të prezantuar Maqedoninë e Veriut në Europë, e që do të bënte krenar çdo shqiptarë si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë saj.

Në anën tjetër me fitoren e sotme, të parën këtë edicion në duelet ndaj Vardarit, pas atyre dy barazimeve, Struga Trim Lum i shkaktoi disfatën më të rëndë skuadrës me më shumë trofe në vendin tonë, duke pasur parasysh se tashmë për “kuqezinjtë” nga Shkupi nuk ka asnjë gjasë për të mbetur në mesin e më të mirëve, ashtu që vitin tjetër do të garojnë në Ligën e Dytë.

Leave a Reply