E diela në futbollin elitar në vendin tonë sjellë ndeshjet e javës së 32-të. Është kjo java e parafundit e sezonit 2020/2021, që me vete sjellë ndeshje shumë interesante, e ku paqartësitë kanë të bëjnë me pozitën e tretë që siguron dalje në Europë dhe mbijetesën, ku në garë janë më shumë skuadra, njofton “infOSport.mk”.
Çështja e vetme e mbyllur deri më tani është ajo e kampionit, me Shkëndijën e kurorëzuar tashmë me epitetin e më të mirit, skuadër kjo që sot do të ketë një detyrë të vështirë në Shkup përballë Makedonija GJ.P.
Këta të fundit mbajnë pozitën e tretë në tabelë, dhe kërkojnë të njëjtën ta ruajnë deri në mbyllje të kampionatit, me qëllilm për të siguruar dalje në Europë. “Verhdekuqtë” me 52 pikë ndjejnë presionin e Struga Trim Lum, që me vetëm një pikë më pak kërkon gjithashtu Europën.
Dy xhirot e fundit sjellin luftë të ashpër për pozitën e tretë dhe Shkëndija është e vetëdishme për vështirësitë që sjell kjo transfertë, edhe pse në dy ndeshjet e këtij edicioni ka dalë triumfuese përballë Makedonija GJ.P, 1:0 në Shkup dhe 5:0 në Tetovë.
Mbetet të shihet se si do të mbyllet ndeshja e tretë e këtij edicioni mes këtyre dy skuadrave, ndeshje kjo që do të transmetohet drejtëpërdrejtë në ekranet e TVM (shqip dhe maqedonisht) dhe Arena Sport. (infOSport.mk)