Juventusi të dielën mundi Udinezen në një ditë të zezë për klubin që nisi sfidën me sigurinë se rivalët e urryer të Interit ishin shpallur kampionë të Italisë. Një lajm i rëndë për skuadrën që e tregoi në fushë dhe po të mos ishte për reagimin e Ronaldos në fund të sfidës, mund t’i kishte dhënë lamtumirën ndoshta që sot edhe pranisë në Ligën e Kampioneve, por gjithashtu edhe trajnerit Andrea Pirlo.
Juventusi bëri një gafë të rëndë që në fillimin e ndeshjes duke i dhënë mundësinë De Paul që të ekzekutonte me shpejtësi një goditje dënimi duke gjetur Molinan, i cili çoi sferën në rrjetë për golin e avantazhit. Dybala dhe Bernardeski ishin thuajse të padukshëm në fushë, ashtu si edhe Ronaldo, por Pirlo nuk guxoi të ndërronte portugezin, por dy të tjerët.
Një vendim që rezultoi i saktë pasi ishte CR7 ai i cili në fund të sfidës zgjodhi telashet e teknikut, të paktën për momentin.
Fillimisht ai fitoi një penallti të cilën e shndërroi vetë në gol për barazim të rezultatit në 1:1 në minutën e 83-të, ndërkohë në minutën e 89, një harkim i Rabio gjeti pikërisht portugezin i cili shënoi me kokë duke vulosur fitoren 2:1 të skuadrës së tij që barazoi Atalantën e Milanin në kuotën e 69 pikëve, me tre skuadrat që ndajnë së bashku zonën Çampions.
Një sukses i rëndësishëm pak ditë para duelit direkt me Milanin, por sidomos për t’i dhënë kuptim ditës së diel ku të gjithë flisnin vetëm për suksesin e Interit dhe si mori fund hegjemonia disavjeçare e “Zonjës së Vjetër”.