Shkëndija e Tetovës në mesjavë zhvilloi edhe një tjetër super ndeshje, duke mundur Rabotniçkin në arenën “Todor Proeski” me shifrat 5:3, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo një tjetër super paraqitje e djemoshave të trajnerit Ernest Gjoka, i cili edhe përkundër fitores së merituar ka mbetur i mërzitur me lojtratë e repartit mbrojtës.
“Kjo ndeshje në rezultat doli të jetë e bukur, por seriozisht jam pak i mërzitur sepse ne kemi ndërtuar një skuadër që të jemi shumë të kujdesshëm, sepse tre golat që kemi pësuar sot nuk i kemi pësuar nuk e dij për sa e sa ndeshje. Kështu që këtu duhet të jemi të kujdesshëm, edhe pavarësisht se gjithë golat që shënuam sot erdhën nga lojtarë të sulmit, shtuar edhe Armendin, gola që ishin secili më i bukur se tjetri, por gjithsesi nuk duhet të gabojmë dhe të tolerojmë shënimin e golave. E them këtë sepse gjithë filozofia jonë, sidomos në Europë është disiplina taktike” – ishte shprehur Ernest Gjoka pas përfundimit të ndeshjes kundër Rabotniçkit, skuadër kjo që pas kësaj disfate, u largua edhe një hap tjetër nga garat europiane.