Barcelona ka fituar Kupën e Mbretit të këtij edicioni, teksa sonte në finalen e madhe mundi Atletik Bilbaon me shifrat 4:0, njofton “infOSport.mk”. Ekipi “katalunas” ka dhuruar spektakël sonte në Sevilja, sidomos në pjesën e dytë, kur që të gjithë 4 golat i realizoi në një interval kohor prej vetëm 12 minutash.
Dhe nuk kishte se si të mungonte Lionel Messi, i cili realizoi dy golat e fundit të këtij takimi. Ndryshe serinë e golave në minutën e 60-të e nisi Antuan Grizman, që vetëm 3 minuta më pas të shënojë edhe holandezi, Frenki De Jong, i cili përveç golit të shënuar kishte asistuar edhe në dy të tjerë.
Ishte ky trofeu i 31-të në kuadër të Kupës së Mbretit për Barcelonën, që njëherit përbënë edhe rekord. Për herë të fundit ata këtë trofe e kishin fituar gjatë vitit 2018-të.
Në anën tjetër ishte kjo disfata e 6-të për Bilbaon në ndeshjet finale të Kupës së Mbretit. Ata para dy javësh kishin humbur finalen e edicionit të kaluar kundër Real Sociedadit. Ndryshe fitorja e sontme e Barcelonës, ishte edhe një hakmarrje e tyre ndaj Bilbaos për disfatën në SuperKupën e Spanjës gjatë janarit.