Kristiano Ronaldo në fund të sezonit do të vendosë nëse do vazhdojë me Juventusin, me të cilën skuadër kontrata i përfundon me 30 qershor të vitit 2022. Portugezi aktualisht është i përqendruar totalisht vetëm tek arritja e objektivave minimalë që i kanë mbetur për t’u arritur deri në fund, konfirmimi në zonën e Ligës së Kampionëve dhe trofeu i Kupës së Italisë, ndërsa pas pushimeve dhe relaksimit do të marrë edhe hapin e radhës.
36-vjeçari gjithsesi e di mirë se pagën që përfiton aktualisht te Juventusi (31 milionë euro neto në sezon) nuk është se ia garantojnë, por ndoshta arkat e klubit francez të PSZh-së mund ta përballojnë.
Të paktën kjo kuptohet nga lajmi që portali spanjoll, “Todofichajes”, konfirmon një ofertë të parë të kampionëve të Francës, por në të njëjtën kohë edhe faktin se Reali i Madridit ka hequr dorë përfundimisht nga një rikthim i mundshëm i CR7-ës në La Liga.
Sipas burimit në fjalë, Reali duket se çdo ditë e më shumë po afrohet me Kilian Mbape, ndërsa pikërisht Ronaldo shihet si zëvendësuesi i francezit te PSZh-ja.
Portugezi e ka edhe një vit kontratë me Juven, por për të paguar kartonin e tij transalpinët kanë ofruar dje zyrtarisht Mauro Ikardin, i cili do ta pranonte me shumë lumturi të vishej bardhezi. Por, për momentin “Zonja e Vjetër” nuk është aspak e bindur mbi këtë mundësi, ndonëse duke parë se si po rrjedhin gjërat, ndoshta deri në fund të sezonit situata mund të ndryshojë.