Portos nuk i mjafton super goli i Terami në fund të ndeshjes, Çelzi kalon në gjysmëfinale (VIDEO)

Çelzi është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Porton me rezultat të përgjithshëm 2:1, pas ndeshjes kthyese çerekfinale që u zhvillua në Sevilja të Spanjës, njofton “infOSport.mk”.

Të dyja takimet çerekfinale ndërmjet këtyre skuadrave u zhvilluan në stadiumin “Ramon Sançez Pizhuan”.

Blutë e fituan sfidën e parë me rezultat 2:0 në cilësinë e mysafirit, derisa përballja e sotme kthyese përfundoi me fitoren e Portos prej 1:0.

Minutat e para të sfidës nuk prodhuan raste të rrezikshme shënimi, ashtu që skuadrat zhvilluan lojë të kujdesshme. “Blutë” e Londrës e kishin avantazhin prej dy golave, ashtu që thjesht duhej ta menaxhonin sfidën dhe ta ruanin epërsinë.

Një mundësi të mirë për ekipin portugez e pati Hesus Manuel Korona, i cili hyri në zonë dhe thjesht duhej ta mposhtte portierin, mirëpo goditi mbi portë, ashtu që skuadrat shkuan në pushim me rrjeta të paprekura.

Ekipi portugez arriti ta shënonte një gol të vonshëm në fraksionin e dytë përmes Mehdi Taremi (90’+4), por që në fund vleu vetëm për statistikë, por me siguri që do të konkurrojë për një ndër golat më të bukur për nga mënyra e ekzekutimit të futbollistit iranian, i cili shënoi vërtetë një gol mjaft të bukur me roveshatë. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply