Veton Tusha, super talentin e tij po e dëshmon që në ndeshjet e para në Superligën turke, me fanellën e Denizlispor, njofton “infOSport.mk”. 18-vjeçari me origjinë nga Kaçaniku i Kosovës, ka gjetur golin e dytë në elitën e futbollit turk, pas atij në ndeshjen debutuese të 20 janarit kundër gjigandëve të Galatasarajit.
Veton Tusha shënoi edhe sonte përballë Alanyaspor, mirëpo për fat të keq në fund skuadra e tij pësoi disfatë 3:2, edhe përkundër avantazhit prej 2:0.
Tusha shënoi golin e dytë në minutën e 51-të, duke shfrytëzuar pasimin e Bakalorz, i cili në minutën e 27-të kishte realizuar golin e parë për Denizlispor.
Mirëpo pas minutës së 51-të, vendasit e Alanyaspor u këndellën, duke shënuar 3 gola të një pasnjëshëm, me autorë Kutlu (54’), Bekirogllu (68’) dhe Pektemek (88’). Pas kësaj disfate Denizlispor mbetet i ngulitur në pozitën e fundit me vetëm 26 pikë, ndërkohë me dyfishin e pikëve, Alanyaspor renditet në pozitën e 5-të.