Më herët se zakonisht Milani ka nisur stërvitjet për sezonin e ri futbollistik, kjo për shkak se në fund të muajit “kuqezinjtë” do të luajnë në Liga Europa.
Para mediave kanë dalë trajneri Vinçenco Montela dhe drejtuesit e lartë Fasone e Mirabeli, të cilët kanë prezantuar punën e kryer deri tani, planet e së ardhmes së afërt dhe merkaton.
Montela është ndalur gjatë te afrimet, teksa tha: “Kanë ardhur shumë futbollistë, disa të rinj e disa me shumë eksperiencë, na pret një punë e madhe, por jam optimist. Skuadra nuk është ende e kompletuar, duhen marrë vendime të rëndësishme për ata që do të largohen. Objektivi është kualifikimi në Ligën e Kampionëve Evropian që nuk do të jetë e lehtë, duke parë konkurrencën” – u shpreh fillimisht numri një i bankinës së “rossonerëve”.
“Për blerjet e reja kam folur shumë sidomos me Mirabelin, për projektin tonë, për të shpëtuar atë që duhej shpëtuar nga skuadra e sezonit të shkuar. Kemi ndërtuar një strategji, pastaj ai ka lëvizur nëpër botë për të gjetur lojtarët me karakteristikat që duam. Një trajner dëshiron të ketë një skuadër sa më të kompletuar, por duhet bërë edhe pastrim në aspektin e numrave, nuk e them me negativitet. Kemi 3 mbrojtës të majtë e 3 të djathtë, është e pamundur për një trajner t’i mbajë të gjithë në skuadër, edhe vetë lojtarët e dinë mirë” – përfundoi Montella.
Milani gjatë merkatos së verës ka qenë ndër skuadrat më aktive, duke afruar në skuadër plotë 6 futbollistë, si Mateo Musakio, Frank Kesie, Rikardo Rodrigez, Andre Silva, Fabio Borini dhe Hakan Çalhanoglu, ndërsa gjithashtu janë në bisedime e sipër me futbollistin e krahut të djathtë, Andrea Kontin e Atalantas si dhe sulmuesin e Fiorentinës, Nikolla Kaliniç.