Trajneri i Partizanit, Ilir Daja është shprehur tepër i kënaqur pas fitores 3:0 ndaj Bylisit dje në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, tekniku i “Demave të Kuq”, duke folur për ndeshjen ndaj ballshiotëve, nuk la pa e prekur edhe çshtjen Ferhan Hasani, i cili dje në lojë kundër Bylisit u inkuadrua vetëm në minutën e 71-të.
“Më pëlqeu fryma e grupit, qoftë për sa i përket shpirtit të skuadrës, por edhe dëshirën që kishim si skuadër dhe veprimet tekniko taktike. Na vjen mirë, që u kthyem te fitorja me rezultat bindës. Mund ta kishim zgjidhur më shpejt ndeshjen. Pothuajse i gjithë ekipi funksionoi. Merita ishte e atyre që ishin në fushë dhe atyre që ishin në bankinë” – u shpreh Ilir Daja.
FERHAN HASANI – “Mungesa e Hasanit në aktivizim, ka të bëjë me dëmtimin që ka pasur. Është java e dytë që stërvitet me grupin. Në momentin që do të ketë gjendje të mirë fizike, do shtohet dhe minutazhi i lojës. Duhet mos kthehemi prap mbrapa me dëmtimet. Eksperienca dhe bagazhi i tij do na vlejë. Mund ta përdorim edhe në pozicion tjetër” – përfundoi Daja.
Partizani falë fitores së djeshme ndaj Bylisit, vazhdon garë për titull fuqishëm me Teutën dhe Vllazninë, tre skuadra këto që për momentin kryesojnë në renditje. Teuta mban pozitëne parë me 49 pikë, ndërkohë Vllaznia dhe Partizani kanë nga 47 pikë.