Futbollisti francez Emanuel Mbella ka rinovuar kontratën me FC Shkupin edhe për 1 vit tjetër. Mbella sezonin e ardhshëm do të bartë numrin 10-të në fanellë, numër ky që ishte mbi shpatullat e Besar Isenit që kaloi në radhët e kampionëve të Vardarit.
Francezi te Shkupi erdhi në merkaton e janarit, ndërsa fitoi simpatinë si nga drejtuesit e klubit ashtu edhe nga tifozët “Shvercerat”, duke mbetur kështu të kënaqur të dyja palët, ku si rezultat erdhi edhe deri te bashkëpunimi edhe për një sezon tjetër.
“Kam pasur shumë oferta nga shumë klube të ndryshme, por në bisedime me kryesinë dhe pas konsultimeve me menaxherin tim kemi vendosur që të vazhdojmë kontratën me Shkupin. Unë e vlerësoj shumë besimin që më ka dhënë kryesia, ndërsa shpresoj se këtë sezon do të jap edhe më shumë, duke gëzuar tifozët tanë “Shvercerat” me shumë fitore dhe shumë gola. Mendoj se do kemi një skuadër shumë kompakte dhe stabile dhe do jemi ekip që do të konkurrojë për një pozitë të lartë në tabelë”, – është shprehur Mbella për faqën zyrtare të FC Shkupit.
Ndërkohë skuadra e Shkupit po vazhdon me stërvitje të rregullta në stadiumin e Çairit në kuadër të fazës së parë përgatitore, ndërsa me 17 korrik “bardhekaltërit” do të zhvendosën në Mavrovë ose në Ohër.