Valon Ahmedi në merkaton e dimrit nga Shkëndija e Tetovës u transferua te kampionët e Bjellorusisë, Shakhter Soligorsk, aty ku po aktivizohet rregullisht, ndërsa fundjavën që sapo lamë pas, kërçovari realizoi golin e tij të parë në fitoren 4:0 ndaj Isloch.
Në një intervistë për “Sport Time” në Supersport, Ahmedi foli për aventurën në Bjellorusi, për momentet më të mira deri tani në karrierë, për Shkëndijën si dhe për pandeminë “Covid 19”.
“Momentet më të bukura të karrierës i kam pasur në Maribor, aty ku mora pjesë në Ligën e Kampionëve. Më erdhi ftesa në Kombëtaren e Shqipërisë pas kësaj aventure. Këtu në Bjellorusi synojmë Ligën e Kampioneve. Jemi në vendin e parë dhe synojmë të kemi këtë ritëm. Futbolli është çështje fati.” – është shprehur Ahmedi, i cili në pyetjen lidhur me ekipin e tij të mëparshëm, Shkëndijën, u shpreh: “Është ekipi që kam në zemër, përfaqëson gjithë shqiptarët dhe i uroj gjithë të mirat. Karriera e futbollistit është e tillë”.
Pandemia? Këtu sikur nuk ekziston virusi, jeta është normale edhe në futboll. Tifozeri ka, me dy fjalë virusi nuk ekziston.”
Kujtojmë bashkë me Valon Ahmedin gjatë merkatos së dimrit nga kampionati ynë vendor te skuadra e Shakhter Soligorsk, u transferua edhe sulmuesi i FC Shkupit, Dembo Darboe. Ky i fundit në ndeshjen ndaj Isloch, kishte realizuar dy gola, duke paralajmëruar një sezon pozitiv me ekipin bjellorus.