Kombëtarja e Shqipërisë dje fitoi ndaj San Marinos dhe u ngjit në vendin e tretë në grupin “I” elimimatorë për Botërorin e vitit 2022, që do të mbahet në Katar.
Në pjesën e parë Shqipëria dominoi totalisht, por nuk arriti të shënojë gol. Ndërkohë në të dytën Manaj dhe Uzuni i dhuruan tre pikët e rëndësishme Shqipërisë.
Ashtu si dhe ndaj ndeshjeve kundër Andorrës dhe Anglisë, edhe ditën e sotme nuk munguan kritikat e panumërta mbi trajnerin Edi Reja dhe skemën e tij tashmë të zakonshme, 3-5-2.
Sipas tifozëve dhe analistëve shqiptarë Shqipëria nuk dhuron futboll, çka të lë dyshime nëse do të arrijë të përballet me kundërshtarët direkt të grupit, që janë Hungaria dhe Polonia.
Por, pavarësisht lojës jo të bukur, statistikat tregojnë se Eduardo Reja është pragmatist dhe prodhon rezultat.
Në 6 ndeshjet e fundit zyrtare, Shqipëria ka fituar 5 të tilla dhe ka humbur vetëm 1, ndaj Anglisë. Këto shifra tregojnë një ecuri të mirë për skuadrën kuqezi, pasi në këte fazë kanë vlerë vetëm pikët dhe jo loja e bukur.
Ndërkohë një tjetër statistikë vjen nga “Europian Qualifers” ku thuhet se Shqipëria është e pamposhtur në 6 ndeshjet e fundit në transfertë dhe ka pësuar 0 gola.