Fitore historike për Maqedoninë kundër Gjermanisë midis Duisburgut. Një lajm senzacional ky, por që është i vërtetë. 2:1 fitore për ekipin përfaqësues të vendit, që në këtë mënyrë dëshmon se është në rrugë të mbarë edhe në këtë cikël të ri eliminatorë, këtë herë për Kampionatin Botëror të vitit 2022, që do të mbahet në Katar.
Kapiteni Goran Pandev shënoi golin e parë për Maqedoninë në minutat shtesë të pjesës së parë, kur në maksimum shfrytëzoi pasimin e Enis Bardhit dhe nga afërsia arriti që të mposht portierin Ter Shtegen.
Në ato momente ndoshta edhe vetë Pandev nuk ju besonte syve, e për më pak në fund të takimit kur të githë shpërthyen në festë, pasi ishte Elif Elmas që në minutën e 85-të shënoi golin e dytë dhe të fitores për Maqedoninë, pas atij asisti perfekt të Arijan Ademit.
Golin e vetëm për Gjermaninë e realizoi Gjundogan në minutën e 63-të nga penaltia. Ndërkohë një penalti e pastërt nuk u akordua në favor të Maqedonisë pak më vonë, kur Gjundogan luajti me dorë në zonën e tij, mirëpo arbitri rus Karasev tregoi që loja të vazhdojë.
Në fund fitore më se e merituar e Maqedonisë, që në këtë mënyrë renditet në pozitën e dytë në kuadër të grupit “J”, para Gjermanisë, mirëpo pas Armenisë, që në 3 xhirot e para ka arritur po aq fitore, përfshirë këtu edhe fitoren e sotme ndaj Rumanisë. (infOSport.mk)