Të mërkurën Kosova do të zbresë në fushë ndaj Spanjës, në kuadër të Grupit B kualifikues për Botërorin e vitit 2022 që do të mbahet në Katar.
Meqenëse Spanja nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, trajtimi që i kanë bërë mediat spanjolle nuk ka qenë aspak i këndshëm, madje gazeta “AS” nuk e ka vendosur aspak emrin e Kosovës në renditje duke lënë thejsht flamurin.
Pikërisht në konferencë, kur gazetari i AS i drejtoi një pyetje trajnerit të Dardanëve, Çallandes, menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala ka marrë fjalën duke detyruar gazetarin të thotë pyetje për “trajnerin e Kosovës”.
Shala: Tani pyetja tjetër. Ruben Ares nga AS. Pyetja nga gazetari i AS, Diario AS.
Gazetari: Siç e shihni, Spanja pas dy ndeshjeve të vështira, mendoni se Luis Enrique do t’i ndryshojë shumë gjëra për këtë ndeshje (kundër Kosovës)?
Shala: Kujt i drejtohet pyetja?
Gazetari: Për trajnerin.
Shala: Trajnerit të… Trajnerit të… Sepse nuk e kemi parë emrin e ekipit tonë kombëtar asnjëherë në median tuaj. Prandaj, do të duhej të ishte e qartë se për trajnerin e cilit ekip është pyetja.
Gazetari: Pyetja është për trajnerin. Dua të di nëse Luis Enrique do të ndryshojë shumë gjëra për ndeshjen e nesërme.
Shala: Po, por për trajnerin e cilës skuadër? Sepse nuk e kemi parë kurrë emrin e ekipit tonë kombëtar në raportimet e gazetës tuaj.
Gazetari: Pyetja është për trajnerin…
Shala: Të cilës skuadër?
Gazetari: Të Kosovës…
Shala: Në rregull. Ai do të përgjigjet tani.