Maqedonia “manita” ndaj Lihtenshtejnit, gjithçka nisi nga Bardhi (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë ka shënuar fitore 5:0 përballë Lihtenshtejnit në  kuadër të ndeshjeve eliminatore për Botërorin e vitit 2022, që do të mbahet në Katar, njofton “infOSport.mk”.

Këtë fitore të thellë dhe të parën në kuadër të ciklit të ri eliminatorë, e paralajmëroi Enis Bardhi me golin e realizuar që në minutën e 7-të.

Bardhi realizoi një super gol nga një distancë e largët, ndërsa falë intervenimit të dobët të portierit mysfair, topi përfundoi në rrjetë.

Bardhi tentoi edhe 5 minuta më vonë, sërish nga gjuajtja e lirë, mirëpo këtë herë traverza shpëtoi mysafirët.

Kësisoj ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në pjesën e dytë të besuarit e trajnerit Igor Angellovski, shënuan edhe 4 gola të tjerë.

10 minutëshi i parë i 45 minutëshit të dytë kaloi në shenjë të Aleksandar Trajkovskit, i cili në një interval kohor prej vetëm 3 minutash (51’, 54’) realizoi dy gola për rezultat 3:0.

Një asist nga afërsia i Ilija Nestorovskit i mundësoi Elif Elmas në minutën e 62-të për të shënuar edhe golin e katërt në rrjetën e Lihtenshtejnit, derisa golin e fundit të këtij takimi, për rezultat përfundimtarë, Maqedonia 5, Lihtenshtejni 0, e vendosi Ilija Nestorovski, i cili në minutën e 82-të shënoi nga penaltia në stilin “panenka”.

Ishte ky goli i 10-të për Nestorovskin me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, që pas kësaj fitore renditet në pozitën e tretë në kuadër të grupit “J”, pasi dy pozitat e para janë të rezervuara për Gjermaninë dhe Armeninë, që në dy xhirot e para kanë arritur po aq fitore. (infOSport.mk)

Foto: gol.mk

Leave a Reply