Milani i madh dalë nga dalë po vjen. Një ndër skuadrat më aktive në këtë merkato të verës, që disa orë më parë siguroi shërbimet e turkut Hakan Çalhanoglu, thuhet të ketë arritur marrëveshje edhe me portierin e shumë përfolur kohëve të fundit, Xhanluixhi Donaruma, shkruan “infOSport.mk”.
Edhe pse ky i fundit refuzoi ofertën e milanezëve fillimisht, informacionet e fundit nga Italia flasin se portieri i talentuar italian, ka pranuar të vazhdojë qëndrimin e tij te klubi i fëmijërisë.
Ai me Milanin do të firmosë kontratë 5-vjeçare, me një pagë vjetore prej 6 milion euro. Kontrata e tij aktuale sakdonte verën e vitit 2018-të, ndërsa me kontratën e re, ai në “San Siro” do të qëndrojë deri në fundin e qershorit të vitit 2022.
Në këtë mënyrë çdo skuadër që do të dëshironte të merrte këtë talent të jashtëzakonshëm në mes shtyllave do të duhej të paguante një klauzolë prej 100 milion euro, gjithnjë nëse Milani do të kualifikohej për në Ligën e Kampionëve, në të kundërtën klauzola e tij do të ishte e përgjysmuar.
Pasi palët janë dakorduar mes tyre për vazhdimin e bashkëpunimit, tashmë mbetet vetëm firma e Donarumas, i cili sërish do të jetë shtylla kryesore në portën e Milanit, që si duket ka rilindur me drejtuesit e rinj kinez.