Pavarësisht se UEFA përjashtoi mundësinë që Spanja të ketë qëndrim diskriminues ndaj Kosovës në ndeshjen e 31 marsit në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, nga ky vend vazhdojnë injorimet ndaj Kosovës.
Të shtunën në mëngjes, “RTVE” – televizion publik në Spanjë, teksa bënte paralajmërimin për ndeshjen me Kosovën, iu referua përfaqësueses dardane si “Përfaqësuesja e Federatës së Futbollit të Kosovës” dhe jo përfaqësuesja apo kombëtarja e Kosovës.
Injorimi për Kosovën nga spanjollët nuk është diçka e re. Kohë më parë vetë faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Spanjës iu referua Kosovës si “territor”, ndërsa mediumet atje paralajmëruan se s’do të lejohen simbolet shtetërore të Kosovës në ndeshjen në Sevilja, pasi Spanja s’e njeh Kosovën si shtet.
Kjo nxiti reagime edhe në FFK, ndërsa më vonë Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) e sqaroi se ndeshja kualifikuese e 31 marsit do të zhvillohet konform rregulloreve të saj, që i bie me të gjitha simbolet dhe e barabartë me përfaqësueset tjera.
Kosova dhe Spanja janë pjesë e Grupit B kualifikues për Botërorin e vitit 2022, që do të mbahet në Katar.
Të dielën, “Dardanët” hapin këto kualifikuese me ndeshjen ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”, ndërsa tre ditë më vonë do të përballen në transfertë me Spanjën.