Shqipëria përballet ditën e nesërme me Anglinë, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Një ndeshje e veçantë edhe për sulmuesin e Kombëtares, Armando Broja, të cilin ndoshta mund ta kishim parë edhe me fanellën e Anglisë, pasi është rritur në një nga akademitë më të mëdha në botë, siç është ajo e Çelzit.
Megjithatë në një intervistë të dhënë për “Goal”, Broja shprehet se nuk kishte kurrë dyshime se për cilën kombëtare do luante, teksa shton se ka gjak shqiptari dhe për këtë arsye zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë.
“Normalisht që është një vendim i madh dhe i rëndësishëm, kur t’i zgjedh vendin tënd për të luajtur. Zgjodha Shqipërinë, sepse brenda meje kam gjak shqiptar. Unë jam shqiptar, prindërit e mi po ashtu dhe nuk e kisha të vështirë për të bërë zgjedhjen. Më pëlqente që të bëja shqiptarët krenarë, por edhe prindërit. Unë dua ta ndihmoj Shqipërinë për të shkuar në Botëror ose Europian, kjo është gjë e madhe për shqiptarët. Nëse do të shkonim në Kupën e Botës, do të ishte çmenduri dhe ne do të bënim histori. Ne nuk kemi arritur kurrë më parë këtë dhe do të ishte diçka e çmendur për të gjithë. Tashmë përballemi me Anglinë dhe në këto ndeshje unë mund shfaq të gjithë potencialin tim. Është diçka e veçantë të luash për vendin tënd.”, – është shprehur Armando Broja.