Trajneri Edi Reja, pas ndeshjes me Andorrën, në të cilën Shqipëria shënoi fitore minimale 1:0, tha se në ndeshjet e marsit do të përdorë të paktën 20 futbollistë, nga ata 28 që ka grumbulluar.
Referuar një formacioni të mundshëm, me një fanellë të garantuar do të ishte vetëm muri i mbrojtjes: Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli, bashkë me Hysajn si dhe Bare para tyre.
Të tjerët? Varet nga strategjia e trajnerit apo edhe nga forma që do të kenë për sfidën e së dielës. Ndoshta zëvendësimet në Andorrë mund të jenë prova gjenerale para Anglisë.
Nëse Gjasula mund të rrëmbejë edhe një herë fanellën e titullarit, për Memushajn nuk thuhet e njëjta gjë me bindje dhe mesfushori mund të vihet në balotazh me Laçin apo Ramadanin.
Kjo, për faktin e vetëm sepse të dy mesfushorët vijnë nga një pushim i gjatë dhe periudhë pa minutat e duhura.
Për sulmin, Cikalleshi imponohet me forcën dhe formën e tij, ndërsa për Manajn, këtë ndeshje mund të ketë balotazh me Uzunin, por jo vetëm me të. Shkëndijat në Andorrë nga Broja ishin vërtet domethënëse…