Arijanet Muriq është përjashtuar nga kampi i përfaqësueses së Kosovës, pak orë para stërvitjes së parë të “Dardanëve” dhe një ditë para ndeshjes miqësore kundër Lituanisë. Në njoftimin e FFK-së është thënë se Muriq është përjashtuar nga kampi për arsye disiplinore, duke mos dhënë detaje shtesë.
Mirëpo, KOHA nga burimet e saj, ka mësuar arsyen e vërtetë që çoi në përjashtimin e portierit të parë të Kosovës.
23-vjeçari është paraqitur i dehur në seancën stërvitore të fitnesit të hënën mbrëma në hotelin “Emerald”, ku është e vendosur përfaqësuesja.
Muriq nuk ka mundur të qëndrojë në këmbë dhe është rrëzuar para bashkëlojtarëve. Mësohet se ai i ka fyer bashkëlojtarët që kanë qenë të pranishëm në palestër.
Ky veprim i portierit të Kosovës e ka bërë shumë nervoz përzgjedhësin Bernard Çallandes, i cili me stafin e tij ka vendosur që ta largojë nga kampi.
Kjo nuk është hera e parë që Muriq është në qendër të vëmendjes për sjellje të pahijshme. Në grumbullimin e shkuar të Kosovës ku masat anti-COVID ishin strikte, ai ishte fotografuar me një vajzë në hotel e ku para vetes kishte edhe alkool.
Muriq është pritur të jetë titullar në portën e përfaqësuesës së Kosovës për ndeshjet e marsit, ku fillimisht nesër “dardanët” do të përballen me Lituaninë në një miqësore, për të zhvilluar më pas edhe dy ndeshjet e para në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2022 kundër Suedisë dhe Spanjës.
Muriq së fundmi ka qenë i rregullt te skuadra holandeze Willem II dhe rregullisht është zgjedhja e parë e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Çallandes, i cili tashmë me shumë gjasa do ti jap shansin Samir Ujkanit.