Paris Sen Zhermen ka rimarë vendin e parë në Ligue 1, teksa mbrëmjen e shkuar mundi një ndër skuadrat konkurrente për titull, Lionin. Kampionët në fuqi të Francës shfrytëzuan në maksimum disfatën befasuese të Lille ndaj Nimes dhe u ngjitën në vendin e parë falë fitores 4:2 ndaj Lion.
Skuadra e Lion ishte e pafuqishme dhe tregoi limite përballë ekipit të Poçetinos, që edhe një herë iu fal heroit Kylian Mbappe.
Pikërisht ky i fundit shënoi golin e parë, ndërsa në minutën e 32’ Danilo dyfishoi rezultatin në 0:2.
Pjesa e dytë nisi përsëri me gol, këtë herë me autorë Anhel Di Maria, i cili shkundi rrjetën e vendasve, para se Mbappe të shënojë edhe golin e dytë personal, duke turpëruar në ato momente Lionin me rezultatin 4:0.
Lioni tentoi të reagojë me anë të Slimani dhe Kornet, por vetëm kaq. Gjithçka u mbyll me shifrat 2:4, me PSZh-në që ngjitet në vendin e parë me 63 pikë, po aq sa ka edhe Lille në pozitën e dytë, derisa Lioni me 60 pikë renditet në pozitën e tretë.
Xhiron e ardhshme, që zhvillohet pas dy javësh, për shkak ndeshjeve të kombëtareve në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2022, Paris Sen Zhermen do të zhvillojë derbin e madh kundër Lille.