Skuadra kampione në fuqi e Futsal Shkupit, ka regjistruar edhe fitoren e 13-të sezonale në elitën e futsalit vendor, teksa sonte në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava mundi ekipin e Kegi Mobi me shifrat 9:3.
Serinë e golave e nisi Ismet Ceka që në minutën e 8-të, ndërsa 3 minuta më pas Ferid Agushi dhe Zoran Leveski shënuan dy gola të shpejtë për rezultat 3:0. Leveski në minutën e 13-të shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Futsal Shkupin, ndërsa në minutën e 16-të mysafirët nga Kavadari shënuan golin e parë me autorë Zharko Spasovski.
Ferid Agushi në minutën e 26-të shënoi edhe golin e 5-të, ndërsa Zoran Leveski pas gjysmë ore lojë shënoi golin e 3-të personal dhe të 6-tin për Futsal Shkupin.
Vetëm një minutë më vonë pasuan dy gola të shpejtë të shënuar nga Erkan Shabani dhe Ivan Sotirovski për rezultat 8:1, ndërkohë Zharko Spasovski në të 37-tën ngushtoi rezultatin në 8:2.
Zoran Leveski në minutën e 38-të shënoi edhe golin e katërt personal dhe të 9-tin për Futsal Shkupin, ndërkohë rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Futsal Shkupi 9, Kegi Mobi 3 e vendosi Nikolla Sazdovski në minutën e 39-të. (infOSport.mk)