Shkëndija më vështirë se sa pritej mundi Pelisterin, Nafiu heroi i “kuqezinjëve” (VIDEO)

Shkëndija ka shënuar fitore minimale 1:0 përballë Pelisterit në Tetovë, edhe atë duke iu falënderuar një goli të shënuar nga rezervisti Valmir Nafiu vetëm në minutën e 87-të, njofton “infOSport.mk”. Pelisteri pas serisë pozitive prej 5 ndeshjeve pa humbje, në këtë ndeshje u fut shumë i motivuar, ndërsa më së miri flet edhe loja e hapur dhe pa frikë gjatë pjesës së parë, kur në disa raste kishin rrezikuar portën e Zahov.

Madje Valentin Koçoski kishte goditur shtyllën e Zahov, i cili skuadrën e tij e shpëtoi edhe fare në fund, në minutën e 94-të, kur me një intervenim bravuroz devijoi topin në rivënie nga këndi, pas goditjes me kokë të mbrojtësit Darko Ilieski.

Në anën tjetër Shkëndija luajti një futboll më ofenziv, mirëpo vetëm në pjesën e dytë me inkuadrimin në lojë të Rubin Hebaj dhe Valmir Nafiut.

Pikërisht ky i fundit në minutën e 87-të shfrytëzoi një harkim në zonën kundërshtare nga ana e Besart Ibraimit, dhe pasi qetësoi topin me një goditje precize nga brendia e zonës arriti që të mposhtë portierin kundërshtarë, Trajçevski.

Ky gol u tregua i mjaftueshëm për fitoren e Shkëndijës, që gjithsesi se duhet falënderuar portierit Kostadin Zahov, që në minutat shtesë të takimit nuk lejoi që Ilieski të shënojë golin e barazimit.

Me këtë fitore, Shkëndija iu hakmorrë Pelisterit për disfatën në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtorë, dhe tashmë kjo skuadër me 50 kryeson renditjen, para FC Shkupit me 43 pikë. Sa i përket Pelilsterit, skuadra nga Manastiri renditet në pozitën e 7-të me 28 pikë të tubuara. (infOSport.mk)

Leave a Reply